Investimi në Fotovoltaikë Forcon Misionin e Gjelbër të Coca-Cola Bottling Shqipëria

Të dhënat kryesore të projektit

  • Investimi total: 1,050,000 €
  • Mbulimi i konsumit vjetor të energjisë: 62%
  • Reduktimi i emetimeve CO₂: 1,230 ton në vit
  • Sipërfaqja e mbuluar me panele: mbi 10,680 m²
  • Ekuivalente me përthithjen e CO₂ nga: 46,752 pemë në vit

Coca-Cola Bottling Shqipëria ka njoftuar vendosjen në funksion të paneleve diellore fotovoltaike, me qëllim reduktimin e mëtejshëm të emetimeve të CO₂ dhe mbulimin e 62% të konsumit vjetor të energjisë përmes burimeve natyrore dhe të rinovueshme.

Në ambientet e CCBS janë instaluar panele fotovoltaike në një sipërfaqe prej mbi 10,680 m², me një investim total prej 1,050,000 €, duke përforcuar angazhimin e kompanisë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.


Një angazhim i vazhdueshëm për inovacion të qëndrueshëm

Prej vitesh, Coca-Cola në Shqipëri është në pararojë të ndërgjegjësimit social dhe mjedisor, duke zbatuar teknologjitë më të avancuara dhe miqësore me mjedisin. Nga impianti modern i filtrimit të ujit, deri te zëvendësimi i flotës së shitjeve me automjete 100% elektrike, kompania promovon modelin e “trekëndëshit të artë” – bashkëpunimin mes institucioneve, OJF-ve dhe sektorit privat – për të krijuar përfitim të qëndrueshëm për vendin dhe për të forcuar ekonominë qarkulluese.


Investime diellore në të gjithë Grupin

Përveç CCBS, edhe Uji i Ftohtë Tepelene ka investuar në sistem fotovoltaik, duke instaluar panele në një sipërfaqe prej 3,221 m². Ky investim mundëson mbulimin e 60.9% të nevojës për konsum energjie dhe redukton 366 ton CO₂ në vit – ekuivalente me punën që kryejnë 10,576 pemë çdo vit. Investimi total për këtë sistem arrin në 360,000 €.

“Ne kemi zgjedhur të lëmë gjurmën tonë të gjelbër në Shqipëri dhe të vazhdojmë të kontribuojmë për qëndrueshmërinë, duke përfshirë në këtë investim furnitorë vendas, institucione dhe palë të tjera të interesit, duke fuqizuar kështu ekonominë qarkulluese në vend,” – u shpreh Luca Busi, President i Coca-Cola Bottling Shqipëria dhe Uji i Ftohtë Tepelene.


Drejt një “Bote Pa Mbetje”

Ndërkohë që CCBS dhe Uji i Ftohtë Tepelene vijojnë të investojnë fuqishëm në Shqipëri, iniciativa të tjera do të pasojnë me mbështetjen e The Coca-Cola Company, në kuadër të projektit global World Without Waste.

Kjo qasje strategjike synon të forcojë ndikimin pozitiv në ekonomi, duke e pozicionuar Grupin si një ndër aktorët kryesorë në mbështetjen e qëndrueshmërisë dhe përmirësimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.