FIFA World Cup™ Trophy Tour nga Coca-Cola Mbërrin për Herë të Parë në Shqipëri

Në festë me komunitetin shqiptar të futbollit dhe fuqinë gjithëpërfshirëse të sportit

TIRANË, 22 Maj 2022 – Edicioni i pestë i FIFA World Cup™ Trophy Tour nga Coca-Cola mbërriti në Tiranë, duke i dhënë komunitetit shqiptar të futbollit mundësinë e rrallë për ta parë nga afër trofeun më të lakmuar në botën e futbollit.

Turneu global, i cili nisi në maj 2022 në Dubai, vizitoi 51 vende futbollistike, duke përfshirë për herë të parë të 32 vendet e kualifikuara në FIFA World Cup™. Kjo nismë synon të frymëzojë tifozët në mbarë botën dhe të festojë fuqinë bashkuese të futbollit.

“E di nga përvoja personale sa emocione të jashtëzakonshme sjell ngritja e Trofeut të FIFA World Cup™ për miliona tifozë,” u shpreh Gilberto Silva, Ambasador i FIFA World Cup™ Trophy Tour nga Coca-Cola. “Është nder të jem në Shqipëri, një vend ku kam parë pasionin e madh për futbollin. Me 51 ndalesa në mbarë botën, ky turne do të frymëzojë dhe angazhojë një brez të ri yjesh futbolli edhe nga ky rajon.”


Një festë për futbollin dhe përfshirjen

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në Shqipëri u zhvillua në Center for Openness and Dialogue (COD) në Tiranë, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.

Futbollistë të rinj – me dhe pa aftësi të kufizuara intelektuale – të përzgjedhur nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Special Olympics Albania patën mundësinë të luanin së bashku në një ndeshje miqësore, vetëm pak hapa larg Trofeut të FIFA World Cup™.

Seanca u drejtua nga Gilberto Silva dhe legjenda e futbollit shqiptar Lorik Cana, duke krijuar një atmosferë frymëzuese dhe gjithëpërfshirëse. Në bashkëpunim me FSHF, në ambientet e aktivitetit u organizua gjithashtu një ekspozitë mbi historinë e futbollit shqiptar.

Mbërritja e Trophy Tour në Shqipëri shënoi jo vetëm një festë të futbollit, por edhe nisjen e një projekti të përbashkët të përgjegjësisë sociale mes Coca-Cola dhe FSHF, me fokus promovimin e përfshirjes përmes sportit.

“Nuk ka simbol më të madh në botën e sportit sesa Trofeu Origjinal i FIFA World Cup™,” u shpreh Luca Busi, President i Coca-Cola Bottling Shqipëria. “Jemi krenarë që e sjellim për herë të parë në Shqipëri. Ky është një vend ku Coca-Cola ndihet si në shtëpi, pas dekadash pranie dhe vlerësimi të vazhdueshëm nga konsumatorët.”


Një partneritet i gjatë me futbollin

Kjo nismë pasqyron lidhjen e fortë mes Coca-Cola dhe Shqipërisë. Coca-Cola Bottling Shqipëria hapi dyert e saj gati tre dekada më parë dhe që atëherë ka qenë një kontribuues aktiv në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe në iniciativat komunitare të vendit.

Në nivel global, The Coca-Cola Company ka një partneritet afatgjatë me FIFA që prej vitit 1974 dhe është sponsor zyrtar i FIFA World Cup™ që nga viti 1978. Coca-Cola ka qenë e pranishme me komunikim reklamues në çdo stadium të Kupës së Botës që nga viti 1950 dhe vijon të mbështesë futbollin në të gjitha nivelet, në mbarë globin.