Një reduktim prej 65% i energjisë elektrike të blerë nga rrjeti, e zëvendësuar me vetëprodhim nga panelet fotovoltaike—ekuivalente me 516 ton CO₂ më pak (Scope 2) brenda vetëm një viti—një flotë komerciale 100% elektrike e furnizuar me energji të rinovueshme, mbi 3,000 orë trajnimi të ofruara për më shumë se 350 punonjës, si edhe evoluimi i paketimit të produkteve përmes reduktimit të peshës dhe rritjes së përdorimit të materialeve të riciklueshme dhe të ricikluara, përfshirë rPET në formatet kryesore.
Këto janë disa nga rezultatet kryesore të theksuara në Raportin e parë të Qëndrueshmërisë të Coca-Cola Bottling Shqipëria, i cili i referohet vitit 2022 dhe është përgatitur nga Deloitte. Raporti përfaqëson një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e vazhdueshëm të kompanisë drejt transparencës, përgjegjshmërisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
“Ky është një dokument zyrtar që dëshmon angazhimin e fortë të kompanisë sonë ndaj qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë sociale,” u shpreh Luca Busi, President i CCBS. “Për ne, CCBS është më shumë se një aktivitet sipërmarrës; është një forcë për ndryshim pozitiv. Që nga viti 1994, iniciativat tona të gjelbra kanë kaluar përtej angazhimeve formale, duke u bërë themeli i identitetit tonë dhe duke udhëhequr veprimet tona të përditshme. Ne besojmë se suksesi i vërtetë i një kompanie matet jo vetëm nga performanca financiare, por nga vlera e qëndrueshme që krijon për brezat e ardhshëm.”
Që nga fillimi i operacioneve në Shqipëri, CCBS ka promovuar iniciativa mjedisore përmes projekteve pionere që synojnë vendosjen e standardeve të reja në tregun vendas. Investimet në energjinë fotovoltaike, prezantimi i një flote komerciale plotësisht elektrike në Tiranë, Durrës dhe Kavajë, instalimi i stacioneve të karikimit të shpejtë, si edhe programet e mbjelljes së pemëve, janë vetëm disa shembuj të angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë në të gjitha nivelet e organizatës.
Më shumë sesa një analizë, Raporti i Qëndrueshmërisë përfaqëson një transformim drejt një qasjeje të strukturuar, të dokumentuar dhe të verifikuar.
“Ne kemi ndërtuar një model zhvillimi që angazhon të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe evoluon së bashku me shoqërinë shqiptare,” shtoi Busi. “Duke kombinuar forcën e një marke globale, vlerat e një biznesi familjar dhe një perspektivë të fortë lokale, jemi krenarë të themi se angazhimi ynë nuk është më thjesht një deklaratë. Ai mbështetet tashmë nga raportim i detajuar dhe verifikohet nga konsulentë të specializuar. Vetëm duke kuptuar pikën tonë të nisjes mund të vazhdojmë të përmirësohemi.”
Duke parë përpara, CCBS po punon me konsulentë liderë europianë për të ndërtuar një roadmap drejt karbon-neutralitetit deri në vitin 2030—një objektiv ambicioz që reflekton vizionin afatgjatë të kompanisë për qëndrueshmërinë.
“Ky është një rrugëtim sfidues, por transformues,” përfundoi Busi. “Dua të falënderoj ekipin tonë të përkushtuar, The Coca-Cola Company, partnerët dhe komunitetet që i shërbejmë. Vetëm së bashku kemi fuqinë reale për të formësuar një të ardhme të qëndrueshme.”
Shkarko në PDF “SUSTAINABILITY REPORT”





