Trajtimi i ujërave të ndotur - nga teoria në aplikim
“Shqipëria po përpiqet ta mbrojë ambientin”
“Ne jemi këtu për t`ju ndihmuar”

 

Nevoja dhe kërkesa e zhvillimeve të fundit për pasjen e ajrit, tokës, ujit dhe në tërësi ambientit të pastër ka sjellë si detyrim sensibilizimin dhe njohjen e publikut të gjerë dhe institucioneve me mënyrat sesi mund të veprohet për çdo rast specifik në këtë mori problemesh që ka në vend. Rritja e mirëqenies dhe e nivelit të jetesës sjell rrjedhimisht pasoja mbi ambientin në tërësi, çka dhe kërkon një përgjigje të menjëhershme për të mbrojtur ambientin e rrjedhimisht shëndetin, ekonominë, turizmin dhe jetët e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

Tanimë, prej vitesh të gjithë janë të ndërgjegjshëm që duhet të ndërhyhet sa më parë për të mos lejuar më përkeqësim të situatës, ç’ka do të shkaktonte probleme të mëtejshme në shëndetin e njerëzve, në dëmtimin e ekonomisë, cënimin e turizmit dhe uljen e imazhit të vendit.

Për të parën herë në Shqipëri do të ketë një angazhim serioz për trajtimin dhe pastrimin e ujërave të ndotura. Në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, kompania “EuroConstruction Company S.A” do të organizojë një seri seminaresh që synojnë sensibilizimin dhe ndërhyrjet për trajtimin e problemeve në mjedis. Qëllimi kryesor i “EuroConstruction Company S.A” është që të informojë, trajnojë dhe prezantojë te personeli i autorizuar teknologjitë dhe metodat e trajtimit të ndotjeve dhe pastrimit të mjedisit. Duke qenë se tema dhe çështjet mjedisore janë shumë të gjera, “EuroConstruction Company S.A” do të organizojë një sërë seminaresh në muajt e ardhshëm, duke synuar kështu që të mbulohen të gjithë sektorit, si Ujërat e Ndotur, Mbetjet e Ngurta dhe Mbetjet e Ajrit edhe pastrimin e ujit të pijshëm.

Kompania “EuroConstruction Company S.A”, në të parin hap që hedh në Shqipëri në këto dimensione, në datat 9 dhe 10 maj 2012, do të organizojë seminarin me temë “Trajtimi i Ujërave të Ndotur- nga teoria në aplikim”. Në këtë organizim do të marrin pjesë drejtues të të gjitha Agjencive Rajonale të Mjedisit, drejtues të Ministrisë  së Mjedisit, përfaqësues nga Bashkia e Tiranës dhe njësi të tjera vendore si dhe përfaqësues të kompanive që operojnë në këtë sektor.

Drejtues të kompanisë thonë se ky seminar i parë dhe të tjerët që do të zhvillohen në të ardhmen do të organizohen falas dhe si qëllim kryesor kanë informimin e institucioneve, medieve dhe të të gjithë aktorëve të përfshirë në çështjet mjedisore. Gjatë dy ditëve të seminarit “Trajtimi i Ujërave të Ndotur- nga teoria në aplikim” do të bëhen prezantime që do të japin nocione të qarta për ujërat e ndotur, llojet e tyre dhe vlerësime për nivelin e ndotjes që shkaktojnë, arsyet për se duhet të bëhet trajtimi i tyre, teknologjitë e ndryshme si dhe përfitimet e ambientit, qytetarëve apo dhe biznesit.

Gjithashtu, pjesë e kësaj serie të parë seminaresh është edhe pjesëmarrja aktive e Coca-Cola Bottling Shqipëria, e cila aktualisht është nga kompanitë e para dhe të vetmet në Republikën e Shqipërisë që ka aplikuar impiantet e depurifikimit të ujit sipas kësaj teknologjie inovative dhe ndërkombëtare.

Coca-Cola Bottling Shqipëria ka disa vite që aplikon pajisjet këtë teknologji me impiantet e depurifikimit të ujit. Benefitet dhe avantazhet e aplikimit të impianteve janë evidentuar në vaditjen e pemëve dhe në përgjithësi transforimin e këtij burimi në mënyrën e duhur në natyrë.

“EuroConstruction Company S.A”, veç temave për trajtimin e ujërave të ndotur dhe teknologjive, me anë të prezantimeve do të japë dhe një situatë të qartë për legjislacionin që është në fuqi ne vendet e Bashkimit Europian. Drejtues të kësaj kompanie thonë se roli i shtetit, ndërgjegjësimi qytetar dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të vendeve të tjera është një hap i rëndësishëm që duhet hedhur sa më parë.

“EuroConstruction Company S.A” ka një vizion të qartë për operimin në Shqipëri. Duke u bazuar në eksperiencën 35 vjeçare, kompania kërkon bashkëpunim të ngushtë me ndërtuesit shqiptarë, me qëllim që ndërtimet impianteve, implementimet e projekteve, ndërtimet e infrastrukturës së nevojshme dhe punime të tjera të kryhen nga kompani vendase. Sipas drejtuesve të “EuroConstruction Company S.A”, kjo mënyrë bashkëpunimi do të specializojë kompanitë shqiptare në një sektor që ka të ardhme dhe do të jetë kërkesë e zhvillimeve të vendit. Veç kësaj, kjo mënyrë bashkëpunimi sjell që fitimet financiare nga këto punime nuk do të transferohen jashtë Shqipërisë. Kërkesat e për të mbrojtur mjedisin  në shumë vende janë në rritje çka fare lehtë, me anë të bashkëpunimit mund të shëndërronte Shqipërinë jo vetëm në vend që implementon me sukses projekte për mbrojtjen e ambientit, por në një vend që do të eksportojë teknologji dhe paisje. “EuroConstruction Company S.A” ka aplikuar me sukses skema të ngjashme bashkëpunimi me ndërtuesit dhe bizneset vendase në shumë shtete.

Drejtues të “EuroConstruction Company S.A”, duke u nisur dhe nga eksperienca e tyre në Greqi dhe dhjetëra shtete të tjera thonë se ndërhyrjet me anë të legjislacionit, veprimit të institucioneve, sensibilizimit të qytetarëve, por mbi të gjitha ndërhyrjet me teknologji dhe impiante të trajtimit të ujërave, ajrit dhe tokës shmangin kostot e tepërta në kohë dhe ekonomi. Duhet që t`i paraprijmë ndotjes, pasi kështu shmangim si dëmtimet në ambient ashtu dhe kostot e nevojshme për rikthim të ambientit në parametra jetësorë.

EuroConstruction Company S.A

Grupi i Kompanive “EUROMARKET” e ka nisur aktivitetin në fushën e Mbrojtjes Mjedisore në Greqi dhe jashtë saj që në vitin 1978 me “EuroConstruction S.A”-kompani e specializuar dhe  “Euromarket Ltd”.-kompani tregtare. Deri me sot, E.C.C. ka projektuar, ndërtuar dhe instaluar mbi 450 impiante në Greqi dhe vende të tjera, duke përdorur teknologji të testuara, efiçente dhe duke pasur si qëllim kryesor zgjidhje sa me optimale tekno-ekonomike.

Në Shqipëri, impianti i parë i Trajtimit të Ujërave dhe Ujërave të Ndotura ka përfunduar dhe funksionon me sukses, prej disa vitesh në fabrikën e “Coca-Cola” në Tiranë.

Për të pasur sukses në objektivat e mësipërme, “EuroMarket Gruop” ka themeluar dhe funksionon me dy kompani, “EuroConstruction Albania”, që merret me administrimin e mbetjeve të lëngëta dhe të ngurta dhe  kompaninë “Europian Water Treatment” që merret me pastrimin e ujit të pijshëm për përdorim urban dhe industrial.