Coca-Cola Bottling Shqipëria dhe Bashkia Tiranë financojnë një park të ri lojrash

Coca-Cola Bottling Shqipëria në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të investojë dhe ndërtojë “Parkun e Lojrave Coca-Cola” në kryeqytet. Projekti u bë publik gjatë një vizite që kreu i bashkisë Erjon Veliaj dhe një grup nxënësish kryen në ambientet e kompanisë.

Presidenti i Coca-Cola Bottling Shqipëria, Z. Luca Busi, vuri në dukje se kompania e tij do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e hapësirave publike dhe se synimi i Coca-Cola është që të nxisë një stil jete aktive e të shëndetshme.

“Ne jemi gjithmonë krenarë për të kontribuar në zhvillimin e hapësirave publike, me një këndvështrim të orientuar drejt natyrës së gjelbër dhe me programe të dedikuara për stilin e jetesës së shëndetshme.”

Edhe kryebashkiaku Veliaj theksoi vlerën e madhe që ka mbështetja e sipërmarrësve privatë në projektet për komunitetin dhe krijimin e hapësirave argëtuese. “Nuk ka asnjë ligj pra që të detyron të kesh një përgjegjësi sociale, por kompanitë e mira dallojnë nga kompanitë e tjera sepse, përveç gjërave të ligjshme kanë edhe një dozë të lart etike, do të thotë që mendojnë edhe për komunitetin”.

Çdo vit, Coca-Cola Bottling Shqipëria mirëpret më tepër se dymijë nxënës dhe student, numër i cili në vitin e ardhshëm synohet të shkojë në tremijë vizitorë, duke prezantuar kështu me trasparencë cilësinë dhe kujdesin ndaj produkteve që tregton.