“Shqipëria është shtëpia jonë,” u shpreh Presidenti Luca Busi gjatë ceremonisë. “Marrja e ‘Çelësit të Qytetit të Tiranës’ është simbol i rrugëtimit tonë të përbashkët dhe objektivave që ndajmë. Na motivon të vazhdojmë të hapim dyer të reja—përmes investimeve, zhvillimit të qëndrueshëm dhe partneriteteve të forta publik-private—për një të ardhme më të mirë.”
Kryetari Veliaj vlerësoi CCBS dhe Presidentin Busi për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj vendit, duke theksuar rolin e kompanisë si një nga investitorët e parë të mëdhenj ndërkombëtarë në Shqipëri në fillim të viteve ’90. Që prej asaj kohe, CCBS është shndërruar në një pionier të praktikave të qëndrueshme, duke ndërmarrë iniciativa që mbështesin mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komunitetit.
Presidenti Busi shprehu mirënjohjen e tij për qytetin dhe qytetarët:
“Dua të falënderoj Kryetarin dhe të gjithë komunitetin shqiptar për mikpritjen e ngrohtë, e cila ka mbështetur rritjen dhe integrimin e kompanisë sonë. Ne ishim pionierë në ndërtimin e një modeli biznesi që i shërben vendit dhe do të vazhdojmë të investojmë me përkushtim—veçanërisht në kapitalin njerëzor.”
Ai theksoi tre shtyllat kryesore të misionit të Coca-Cola në Shqipëri:
Ndikimi social: Ofrimi i eksperiencave pozitive dhe kontributi në komunitet përmes praktikave të përgjegjshme të biznesit.
Fuqizimi i të rinjve: Mbështetja e programeve që kontribuojnë në transformimin e Tiranës në një qendër dinamike për të rinjtë.
Zhvillimi i qëndrueshëm: Promovimi i iniciativave mjedisore, krijimi i vendeve të punës dhe projekteve socio-kulturore.
Në aspektin mjedisor, CCBS vijon të investojë në iniciativa që reduktojnë emetimet dhe rrisin efikasitetin operacional. Këto përfshijnë zgjerimin e projektit Green Mobility me automjete elektrike për flotën e shitjes, rritjen e përdorimit të PET-it të ricikluar, si edhe instalimin e paneleve fotovoltaike në shkallë të gjerë në impiantin e prodhimit—si pjesë e roadmap-it për t’u bërë kompania e parë karbon-neutrale në Shqipëri deri në vitin 2030.
“Jemi krenarë që jemi pjesë e familjes shqiptare,” përfundoi Presidenti Busi. “Do ta ruajmë ‘Çelësin e Qytetit të Tiranës’ si simbol të përgjegjësisë dhe angazhimit tonë për të kontribuar në një të ardhme të qëndrueshme për vendin.”





