CCBS Mbështet Arboretumin e Parë në Shqipëri pranë Liqenit Artificial të Tiranës

Në kuadër të përpjekjeve për rigjelbërimin e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës dhe me rastin e 60-vjetorit të tij, Coca-Cola Bottling Shqipëria (CCBS) investoi në krijimin e projektit të parë Arboretum në Shqipëri.

Kjo nismë bën të mundur identifikimin e specieve dhe moshës së pemëve në të gjithë parkun, duke u ofruar vizitorëve një kuptim më të thellë mbi biodiversitetin e pasur të zonës.

Përmes aplikacionit “Tirana Ime Outdoor”, vizitorët mund të aksesojnë lehtësisht informacione të detajuara mbi vegjetacionin, duke e kthyer një shëtitje të zakonshme në park në një eksperiencë edukative dhe interaktive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi projektin, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të teknologjisë për të ofruar informacion të aksesueshëm mbi ekosistemin e parkut. Ai nënvizoi se transformimet në zonën e Liqenit Artificial janë një shembull i qartë se si hapësira të tjera të gjelbra, si Kopshti Botanik, mund të shndërrohen në ambiente moderne, të mirëmbajtura dhe miqësore për vizitorët.

“Sinjalistika i ndihmon vizitorët të kuptojnë llojet e pemëve, çfarë rritet në park dhe biodiversitetin që ai ofron,” – u shpreh Veliaj. “Kushdo që shqetësohet për të ardhmen e Kopshtit Botanik, mjafton të shohë përmirësimet rreth liqenit për të kuptuar se si ai mund të kthehet në një perlë të vërtetë për qytetin.”

Në kuadër të së njëjtës iniciativë, CCBS vuri në dispozicion edhe një automjet ekologjik për të mbështetur flotën e pastrimit të parkut, duke kontribuar në mirëmbajtje më të qëndrueshme.

Me mbështetjen e CCBS, Bashkia e Tiranës vijon modernizimin e infrastrukturës së parkut përmes përdorimit të automjeteve ekologjike dhe instalimit të tabelave informuese për çdo pemë. Sistemi ofron të dhëna mbi specien, moshën dhe origjinën, duke e bërë parkun më tërheqës për familjet, studentët dhe dashamirësit e natyrës.

I gjithë ky informacion është i aksesueshëm lehtësisht përmes shkarkimit të aplikacionit “Arboretum” në telefon, duke krijuar një hapësirë publike më inteligjente, më të gjelbër dhe më edukative për komunitetin.