Atletët e Special Olympics Albania nisen për herë të parë drejt Special Olympics World Winter Games

Tiranë, 21 Shkurt – Në një ceremoni emocionuese dhe frymëzuese të mbajtur në Center for Openness and Dialogue (COD), atletët e Special Olympics Albania (SOA) u prezantuan zyrtarisht përpara nisjes së tyre drejt Special Olympics World Winter Games, që do të zhvillohen nga 8–15 mars në Turin, Itali.

Për herë të parë në histori, një delegacion shqiptar do të marrë pjesë në Lojërat Botërore Dimërore të Special Olympics. Ky moment historik është bërë i mundur falë mbështetjes së Coca-Cola dhe donatorëve të tjerë, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në drejtim të përfshirjes dhe fuqizimit të personave me aftësi të kufizuara intelektuale përmes sportit.

Në aktivitet morën pjesë Ministri i Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar dhe shoqatave sportive, të bashkuar në mesazhin e tyre të mbështetjes për atletët dhe rolin bashkues të sportit në shoqëri.

Gjatë ceremonisë, Drejtori Kombëtar i Special Olympics Albania, z. Roland Hysi, theksoi rëndësinë e këtij momenti:

“Ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, për atletët dhe familjet e tyre, por për të gjithë vendin. Me mbështetjen tuaj, delegacioni i Special Olympics Albania do të marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Botërore Dimërore në një skenë ndërkombëtare. Kjo dëshmon se së bashku, përmes veprimeve konkrete, mund të thyejmë barrierat që ekzistojnë për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.”

Që prej themelimit në vitin 2017, Special Olympics Albania ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për forcimin e mbështetjes institucionale dhe zhvillimin e kuadrit ligjor për sportin gjithëpërfshirës. Me mbështetjen e qeverisë, SOA po ecën drejt njohjes zyrtare si shoqatë sportive me mision të veçantë sipas Ligjit për Sportin.

Presidenti i Coca-Cola Bottling Shqipëria, z. Luca Busi, shprehu gjithashtu mbështetjen e kompanisë për këtë rrugëtim të rëndësishëm:

“Coca-Cola dhe Special Olympics ndajnë vlera të përbashkëta që nga viti 1968. Ndërsa sjellim me krenari një markë globale me rrënjë të forta lokale tek konsumatorët shqiptarë, Coca-Cola Bottling Shqipëria mbështet atletët e Special Olympics Albania jo vetëm në rrugëtimin e tyre drejt Torinos, por edhe në punën e rëndësishme që ata zhvillojnë gjatë gjithë vitit.”

Në vitin 2023, me mbështetjen e Coca-Cola, Special Olympics Albania mori pjesë në Special Olympics World Games në Berlin – pjesëmarrja e parë në Lojërat Verore – ku një delegacion prej 10 atletësh garoi në not, peshëngritje, atletikë dhe basketboll.

Special Olympics World Winter Games janë ndër ngjarjet sportive më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse në botë. Këtë vit, Shqipëria do të përfaqësohet nga gjashtë atletë – tre vajza dhe tre djem – në disiplinat snowshoeing, ski alpine dhe ski nordike (cross-country).

Mbi 1,500 atletë nga 102 vende, të mbështetur nga 2,000 vullnetarë dhe të ndjekur nga më shumë se 100,000 spektatorë, do të marrin pjesë në Lojërat e Torinos. Garat do të zhvillohen në tetë disiplina olimpike dimërore, duke përfshirë ski alpine, ski nordike, patinazh artistik, snowboarding, snowshoeing dhe short track speed skating – një festë globale e sportit, përfshirjes dhe shpresës.