Bazuar në komunikimet e fundit që qarkullojnë në media në lidhje me produktet serbe, apo vendeve të tjera, si Turqia, Polonia, etj., të cilat dalin në shitje në Shqipëri në mënyrë të paautorizuar, ju njoftojmë se Coca-Cola Bottling Albania është partneri i vetëm zyrtar i autorizuar nga The Coca-Cola Company për të prodhuar, mbushur dhe shpërndarë portofolin e produkteve të saj në territorin shqiptar.
Si të tillë, ne garantojmë respektimin e ligjeve të vendit duke ofruar produkte me etiketa në gjuhën shqipe, të rëndësishme për njohjen e përbërësve, kohën e prodhimit, datën e skadencës dhe sigurinë e transportit në kushtet e duhura, në çdo treg dhe për çdo konsumator. Gjithashtu, produktet e prodhuara në Shqipëri krijojnë një kontribut të shtuar ekonomik në tregun shqiptar. Një model i qëndrueshëm biznesi që gjeneron të ardhura, vende pune, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e PBB-së në vend.
Në këtë drejtim, theksojmë edhe një herë se synimi ynë i vetëm është të jemi një kompani dinjitoze që vepron në përputhje me ligjin për t’i shërbyer konsumatorëve shqiptarë.
Natyrisht, vlen të theksohet se çdo produkt që qarkullon ilegalisht, shpeshherë pa asnjë etiketë në gjuhën shqipe, i pakontrolluar nga shteti, sjell një ndikim negativ në ekonominë e vendit.
Coca-Cola Bottling Albania mbështet prodhimin vendas duke e pasur atë si një busull udhëzues në praktikat e përditshme, në përzgjedhjen e furnitorëve, punëtorëve, partnerëve dhe distributorëve shqiptarë dhe duke ofruar produkte që janë “më shqiptare nga ç’mendoni”.
Na vjen shumë keq që konsumatorët shqiptarë janë të ekspozuar ndaj një oferte kaq të pakontrolluar të produkteve. Në këtë drejtim, ne garantojmë bashkëpunimin tonë të plotë me autoritetet shqiptare dhe Shoqatat e Konsumatorëve për të siguruar një zgjidhje sa më të shpejtë.