Fabio Colliva: “Nga një ide e thjeshtë mund të një krijohen projekte të mëdha”
“Ne besojmë se, inovacioni është një proces që ndodh hap pas hapi, i cili përfshin të gjitha funksionet e kompanisë, me një plan zbatimi dhe afate kohore të qarta – duke shkëmbyer në mënyrë të vazhdueshme, pikëpamjet me grupet e ndryshme të interesit”.
Përmes këtij mesazhi, Drejtori i Përgjithshëm i Coca-Cola Bottling Shqipëria, Fabio Colliva theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj të rinjve, në eksplorimin e potencialeve dhe ideve të reja – edhe përmes familjarizimit me eksperiencat e kompanive lider në treg. Ai prezantoi eksperiencën e rrugëtimit të Coca-Colës në Shqipëri gjatë Innvest Summit 2022 në Tiranë, si një nga rrugëtimet e investimeve të qendrueshme në vendin tonë.
Innvest Summit mblodhi për dy ditë rresht në Tiranë, korporata, përfaqësues të Biznesit, Bashkisë Tiranë, investitorë engjëj, të rinj e startup-e nga Shqipëria e rajoni me synim frymëzimin dhe inkurajimin e ideve që promovojnë zhvillimin e qendrueshëm në qytet, komunitet – drejt një të ardhme më të mirë përmes investimeve të qendrueshme.
Në fjalën e saj hapëse, Fabiola Duro, themeluese e Innvest Summit vlerësoi rëndësinë e sjelljes së modeleve dhe promovimin e investimeve inovatore, që përqafojnë jetën sociale në komunitet, mjedisin dhe ekonominë duke theksuar se “qëllimi është që çdo investim që kryehet, të ketë impakt përmes krijimit të një kornize për ekosistemin, përmes avancimit të startup-eve drejt teknologjisë, edukimit më të mirë dhe inovacionit”.
Gjatë samitit, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku foli për elementët e rëndësishëm investues që zhvillojnë sot qytetin dhe ekonominë, të ndërthurrur me startup-et dhe të rinjtë duke i cilësuar ata si një “një vizion alternativ, se si mund të zhvillohet ekonomia e një qyteti përtej atyre që janë elementet e sotëm dhe më të dukshëm, që lidhen me tregtinë, shërbimet, apo zhvillimin e industrisë”.
Drejtori i Përgjithshëm i CCBS, Colliva tha se përkushtimi ndaj investimeve që mundësojnë impakt, është arsyeja se përse Coca-Cola ishte pjesë e Innvest Samit.
“Për ne, kjo është një mundësi e rëndësishme, për t’i prezantuar inovatorëve të rinj shqiptarë, por dhe shqiptarëve në përgjithësi, se çfarë bëjmë konkretisht: Ne ndihmojmë në zhvillimin e Shqipërisë dhe jemi të qëndrueshëm dhe aktiv me prezencën tonë prej vitit 1994. Çfarë do të thotë kjo? Të krijojmë vende të reja pune që gjenerojnë të ardhura për familjet dhe bizneset, të vijojmë të realizojmë nisma ambicioze në fabrikën tonë, duke u bërë pjesë reale e zhvillimit social në Shqipëri” shprehet Colliva.
I pyetur gjatë punimeve të samitit, mbi ndikimin në mjedis të investimeve të Coca-Colës në Shqipëri dhe zvillimin e qendrueshëm si një histori suksesi, Colliva tha: “Një numër shumë i madh i aktiviteteve në 10 vitet e kaluara, janë dedikuar për garantimin e qëndrueshmërisë. Përkushtimi ynë, nis me implementimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave, për t’u përdorur më pas për sistemin e vaditjes. Kemi automjetet elektrike, ku flota jonë e shitjes në Tiranë, Durrës dhe Kavajë përdor makina elektrike. Së fundmi, ne kemi bërë një investim të madh, në përdorimin e paneleve fotovoltaike në ambientet e CCBS, ku rreth 62 % e nevojave tona për energji elektrike mbulohen drejtpërdrejt nga energjia diellore. Ne gjithashtu, kemi mbjellë pemë në Tiranë, kemi ndihmuar në pastrimin e plazheve në mbështetje të kujdesit ndaj mjedisit. ”